Sytë tashmë janë kthyer në Hagë ku edhe po mbahet gjyqi për ish-krerët e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Veseli dhe Rexhep Salimi.
I ftuar në “NewsLine” në “ABC News” eksperti Ledion Krisafi ka analizuar procesin duke thënë se mënyra se si është bërë akuza nuk kishte kontekst.
Ai u shpreh se nëse dënohen ish-krerët e UÇK do të ishte një njollë shumë e madhe për Kosovën, dhe mund ta dëmtojë për të marrë njohje të tjera ndërkombëtare.
“Mënyra se si kanë bërë akuzën nuk kishte një kontekst se çfarë ka ndodhur në ’99, pasi dukej sikur UCK ishte një organizatë terroriste. Dhe nuk arritën të bënin lidhje të drejtpërdrejtë sepse është e vështirë të lidhet ajo që ndodh në terren me personin…Pra nuk kishte një vërtetim të drejtpërdrejtë që nga një person është dhënë një urdhër. Në logjikën e Perëndimit ishte një proces që duhet bërë. Nuk përjashtohet mundësia që ta dalin të pafajshëm, por në vijimësi situata ka ndryshuar. Ka një ide që qarkullon në kancelaritë europiane që shqiptarët nuk mund të marrin çdo gjë dhe vetëm Serbia të ndëshkohet. Perëndimi e ka financuar, gjyqtarët prokurorët janë europiane dhe amerikanë. Logjika e Perëndimit ishte që duhet t’i çojmë gjithë në gjyq, sepse gjithë barra nuk mund t’i hidhej gjithë Serbisë”, tha ai.
Gjithashtu parashtroi se në rast se do të kishte prova të drejtpërdrejta nuk kishte pse të bëhej gjithë ky teatralitet. Më tej nënvizoi se prokurorët janë treguar tendecioz gjatë procesit. Sipas ekspertit Krisafi, ‘nëse dënohet Thaçi, dënohet shpallja e Pavarësisë’.
“Besoj te pafajësia sepse ky Perëndim që po i gjykon sot është i njëjti që ka dhënë pavarësinë. Po dënojnë njerëzit për luftën që çuan në Pavarësinë e Kosovës. Pra logjika të çon te ideja që të dalin të pafajshëm. Por ka pasur tjetër tendencë. Ka edhe një problem për Shqipërinë nëse dënohen. Për imazhin e Shqipërisë. Prokurori që bëri akuzën përmendin shpesh Shqipërinë…Duhet të ishte bërë një tjetër diplomaci publike. Ajo që mund të ishte më e mira ishte të mos ishte firmosur gjykata”, tha mes të tjerash ai.
/abcnews.al/


