Si pasojë e reshjeve dhe prurjeve të shtuara, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin: Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës.
Që prej orëve të pasdites se djeshme është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe të Liqenit të Shkodrës.
Në zonën e Obotit është evidentuar prezencë uji kryesisht në tokat bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur, por pa rrezik për banesat deri në këto momente.
Ndërsa aksi rrugor lidhës i fshatit me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 40–50 cm, duke vështirësuar kalimin për mjetet e vogla.
Në terren ndodhen 2 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 10 efektivë të Forcat e Armatosura, në gatishmëri të plotë për çdo nevojë emergjente.
Situata në akset rrugore malore:
Aksi Bogë – Theth vijon të ndikohet nga reshje intensive bore; Qafa e Thorës mbetet e bllokuar në zonën e tuneleve për shkak të orteqeve. Po punohet me mjete borëpastruese për hapjen e rrugës.
Në aksin Hani i Hotit – Vermosh ka reshje të dendura dëbore mbi kuotën 1000 m; qarkullimi kryhet vetëm me goma dimërore dhe me asistencë të mjeteve borëpastruese.
Nga bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika.
Strukturat e mbrojtjes civile dhe institucionet vendore vijojnë monitorimin në terren dhe mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të situatës, duke garantuar koordinim të plotë për sigurinë e qytetarëve.


