Arabia Saudite dënoi me vdekje pesë persona për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi.
Khashoggi, një kritik i qeverisë Saudite, u vra brenda konsullatës së mbretërisë në qytetin turk të Stambollit nga një ekip agjentësh saudit.
Prokurori tha se Saud al-Qahtani, një ish-këshilltar mbretëror saudit ishte hetuar, por nuk u akuzua dhe u la i lirë.
Vrasja e Khashoggi shkaktoi krizën më të madhe diplomatike të Arabisë Saudite që nga sulmet e 11 shtatorit, pasi udhëheqësit botërorë dhe drejtuesit e biznesit kërkuan të distancohen nga Rijadi.
Ndërkohë Bashkimi Evropian ka kundërshtuar dënimin me vdekje, të shpallur nga gjykata saudite, ndaj të akuzuarve për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi. Prokurori publik i Arabisë Saudite tha më 23 dhjetor, se pesë persona u dënuan me vdekje për vrasjen e Khashoggit.
“Bashkimi Evropian është pa mëdyshje kundër dënimit me vdekje gjithnjë dhe pa përjashtim”, tha zëdhënësi për politikën e Jashtme të BE-së, Peter Stano, përmes një deklarate.
Dënimi i njerëzve me vdekje është një “dënim mizor dhe çnjerëzor, i cili nuk arrin të veprojë si një parandalues dhe përfaqëson një mohim të papranueshëm të dinjitetit dhe integritetit njerëzor”, thuhet në deklaratë.
Shërbimet e inteligjencës amerikane arritën në përfundimin se Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, sundimtari de fakto i mbretërisë, urdhëroi vrasjen e gazetarit Khashoggi.
Gjithashtu BE-ja theksoi nevojën e ndjekjes penale për të gjithë ata që ishin të përfshirë në vrasje.
“Kjo duhet të bazohet në parimet e transparencës, respektimit të procedurave ligjore dhe procesit të duhur”, tha zëdhënësi Stano./abcnews.al