TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama deklaroi se ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku i ka paraqitur tre herë dorëheqjen, por ka qenë ai i cili ia ka refuzuar.
Sipas Ramës, dorëheqja e parë është dorëzuar kur ndaj saj u ngrit akuza, e dyta pas pezullimit të parë nga detyra dhe e treta pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori një vendim për padinë e saj.
Kreu i qeverisë theksoi se nuk mund të pranojë një dorëheqje të diktuar, sipas tij, nga ndërhyrje jashtë kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv. Ai nënvizoi se përcaktimi i këtyre kushteve nuk i takon as prokurorisë, as gjykatës, as medias dhe as “gjyqit popullor”, por procedurave dhe standardeve të parashikuara nga ligji.
“Dhe që të jemi shumë të qartë bashkë, Belinda Balluku ma ka dorëzuar tre herë dorëheqjen. I kam atje në dosje, tre herë, një herë kur iu ngrit akuza, herën e dytë, kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë, mbasi Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim, dhe të tre herët jam unë që e kam refuzuar dorëheqjen sepse dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vet dhe është futur në territorin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv nuk ka dhe jam falënderues për faktin që nuk ka persistuar po ka vazhduar ta marrë gjithë atë baltë mbi fytyrë, sepse unë nuk e pranoj dorëheqjen deri kur të plotësohen kushtet dhe se kur plotësohen kushtet, nuk e përcakton dot as prokurori, as gjykatësi i seancës paraprake, as media dhe as gjyqi popullor.
Sepse nëse do të hynim në këtë logjikë, atëherë do t’i hapnim rrugë një historie që do të dëmtonte seriozisht kapacitetin e pushtetit ekzekutiv për të qeverisur. Kujt më tregon Gjermaninë apo më tregon Danimarkën, i them këtë, jemi në kushte tërësisht të ndryshme, në Shqipëri jemi në një fazë revolucionare transformuese, rrënjësisht përmbysjeje të një sistemi të kalbur, të një historie ku tradita ka qenë dhe mbetet problemi më i madh për të ndërtuar një sistem gjyqësor demokratik, sepse është një traditë që shkon në të kundërtën e lirisë dhe natyrisht, jemi në kushtet kur, duke i dhënë pavarësinë e plotë pushtetit gjyqësor, duke ngritur struktura speciale për të luftuar ne, që jemi ata cilët duhet të qeverisim në të njëjtën kohë është shumë e rëndësishme që të jemi të vëmendshëm për të ruajtur pikërisht balancën që në mënyrë të përsëritur rrezikon të prishet nga aventurizmi i një prokurori këtu, i një gjykatësi atje. Kjo nuk mund të ndodhi!”, tha ai./abcnews.al


