Takimi i radhës trepalësh midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës u zhvillua në Mynih, duke konfirmuar vijimësinë e dialogut strategjik dhe koordinimit në fushën e sigurisë.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, u takua me homologun kroat Ivan Anušić dhe me ministrin e Mbrojtjes të Kosovës Ejup Maqedonci, në një moment kur mjedisi i sigurisë në Evropë dhe rajon karakterizohet nga dinamika të shtuara dhe nevoja për përgjigje të koordinuara.
Diskutimet u fokusuan në thellimin e bashkëpunimit në mbrojtjen e përbashkët, rritjen e ndërveprueshmërisë së forcave të armatosura, zhvillimin e industrisë ushtarake dhe ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme mbrojtëse.
Takimi rikonfirmoi vullnetin politik të tre vendeve për të vepruar si faktorë stabiliteti në rajon, për të forcuar sigurinë kolektive dhe për të kontribuar në arkitekturën euroatlantike të sigurisë përmes partneriteteve konkrete dhe rezultateve të matshme.


