Prokuroria nuk ka asnjë provë se Rexhep Selimi mund të këtë patur nën kontroll një polici të UÇK dhe në cilësinë e ministrit të Rendit Publik në fund të viteve ’90 të ketë dhënë urdhër për të ekzekutuar civilët në vend.
Këtu është përqendruar mbrojtja e Selimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e cila përfundon sot për tja lënë radhën mbrojtjes së Jakup Krasniqit.
Avokatet mbrojtës insistojnë në pafajësinë e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rexhep Selimi është i pafajshëm dhe nuk ka asnjë provë se ai ka qenë anëtar i “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” me qëllim shtrirjen e pushtetit në Kosovë, siç pretendon prokuroria.
Në të njëjtin linjë me kolegun e tij, drejtuesin e trupës mbrojtëse të Selimit, Geoffrey Roberts, edhe avokati tjetër Eric Tully e nisi fjalën e tij me hedhjen poshtë të argumentit të akuzës se Selimi ka pasur kontroll mbi Policinë si ministër i Rendit Publik.
“ZPS-ja nuk ka arritur t’i vërtetojë argumentet e veta. Termi “Policia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një tezë e Prokurorisë, e hartuar si një kosh ku Prokuroria mund t’i hidhte sa më shumë dëshmi përmes provave të shkruara, për të dhënë përshtypjen e gabuar se ekzistonte një lloj policie dhe që drejtohej nga Selimi si ministër i Rendit Publik”, tha avokati.
Madje sipas avokatit, pas qershorit të 1999 policia ushtare e UÇK ka qenë nën përgjegjësinë e komandantëve të zonave dhe jo të një emri të vetëm.
“Prokuroria nuk ka dhënë prova për të vërtetuar që veprimet ose mosveprimet e zotit Selimi si ministër i Rendit Publik kanë luajtur ndonjë rol në kryerjen e krimeve në aktakuzë dhe që ai është përgjegjësi për veprimet e personave tjerë lidhur me kryerjen e krimeve të pretenduara në aktakuzë”, shtoi më tej avokati.
Sipas avokatit, nuk kishte asnjë forcë policie të krijuar në prill të vitit 1999, duke marrë parasysh rrethanat në atë kohë, dhe nuk ka asnjë provë konfirmuese të paraqitur nga dëshmitarë apo prokuroria speciale që vërtetojnë një pretendim të tillë.
Mes tjerash, avokati ka përmendur edhe mospërputhjet në dosjen e Prokurorisë, për mënyrën se si i referohet Selimit: diku si person me kontroll operacional mbi policinë dhe diku si emri ishte i pozicionuar për të udhëzuar persona.
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, vazhdojnë seancat përfundimtare me fjalën e mbrojtjes së katërshës së UÇK, për t’ia lënë vendin vetë fjalës së tyre me 18 shkurt.


