Në një deklaratë nga selia e PD, Sali Berisha konsideroi banditë efektivët e policisë, duke akuzuar ata për dhunën ndaj protestuesve, duke denoncuar ashpër sjelljen e uniformave të policisë, duke i cilësuar si “banditë dhe kriminelë me uniformë” që sulmuan qytetarët, por sipas tij, vetëpërmbajtja dhe guximi i protestuesve paqësorë janë qindra herë më të fuqishëm se banditizmi i përdorur ndaj tyre.
“Përshëndetje më të përzemërt guximtarëve të pamposhtur të 10 shkurtit, që bënë në këtë revoltë, në këtë kryengritje paqësore, historinë. Me guximin, qytetarët de facto zotëruan sheshin. Banditë me uniformë, kriminelë me uniformë u vërsulën si bisha, duke menduar se mund t’i mposhtnin. Ja ju them unë atyre, që vetëpërmbajtja, guximi, qëndrimi paqësor i protestuesve është dhjetëra, qindra herë më i fuqishëm se banditizmi i tyre. Protestues paqësorë por dhe njerëz me aftësi të jashtëzakonshme.
Dhjetëra mijëra guximtarëve, u mjaftojnë pak minuta për t’u dhënë atë që meritoni. Vetëpërmbajtjen e tyre mos e merrni për dobësi. Vetëpërmbajtja e tyre është trimëri dhe guxim. Është vendosmëri për të realizuar qëllimin, për të rrëzuar, për të hedhur në kosh të plehrave të historisë njërin prej armiqve më të rrezikshëm në historinë e kombit, më të rrezikshëm në historinë e kombit shqiptar, më të pashpirt, Edi Ramën. Mos mendoni se durimi nuk ka një fund. Dhe unë ju garantoj se kjo vetëpërmbajtje, kjo vendosmëri e jona, nuk mund të provokohet. Dhe provokatorët mund të marrin një mësim që meritojnë. Mirënjohje për ju, mirënjohje për çdo qytetar që erdhi nga të katërta anët.
Pra, sot barbaria e policisë nuk kurseu gazetarët. Këta gazetarë dhe kameramanë u trajtuan në mënyrë armiqësore nga banditë me uniformë. U bë gjithçka që të mos përmbushnin dot detyrën e tyre, misionin e tyre. Por i përgëzoj. I përgëzoj se nuk u ndalën për asnjë moment nga detyra dhe misioni i paraqitjes së çdo akti. ” tha Berisha ndërsa njoftoi protestën e radhës në datën 20 shkurt.


