45 vite burg kërkon Prokuroria Speciale për secilin nga anëtarët e UÇK.
Në një intervistë në emisionin “Balkan Update”, Faton Mehmeti gazetar në Kosovë e ka cilësuar një vendim të padrejtë.
Gjatë intervistës, ai u shpreh se qëllimi kryesor i gjykatës nuk është drejtësia, por njollosja e luftës së UÇK-së, ndërsa theksoi se akuzat nuk janë arritur të vërtetohen.
“Kjo gjykata në themel nuk ka vënien e drejtësisë, por për të ndëshkuar njërën palë që në këtë rast është pala shqiptare. Në asnjë rast nuk janë arritur të vërtetohen akuzat dhe pretendimet e Prokurorisë. Nuk ka asnjë dëshmitar direkt që të ketë pranuar se ka qenë në ato kampe përqendrimi”, tha ai.
Më tej ai nënvi8zoi se që në fillim procesi nga Gjykata e Hagës ishte e njëanshme dhe se sipas tij pret vetëm vendim skandaloz nga Specialja.
“Ky proces pritet që në fillim të majit të jepet fjala përfundimtare. Dëshira e madhe është që katërshja të dalë në liri, Kjo gjykatë që në fillim ka qenë e paanshme, pra u duk që në start. Por mbetet për t’u parë. Dëshira është që katërshja të kthehet në Kosovë e lirë”, tha ndër të tjera ai.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat, ndërsa fjalën e tyre përfundimtare pritet ta mbajnë në seancën përmbyllëse të 18 shkurtit.
Të katërt ndodhen në paraburgim, në një proces të shoqëruar me shumë dritëhije që prej 2020-tës.
Zyra e prokurorit të specializuar ka paraqitur 125 dëshmitarë, ndërsa 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë e tyre me shkrim, ndërsa mbrojtja e nisi sagën e saj shtatorin e 2025 me emra të rëndësishëm të politikës ndërkombëtare, si James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, Christopher Hill apo ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Clark. Të gjithë deklaruan se UÇK-ja nuk ishte organizatë terroriste, roli i Thaçit ishte politik dhe se pjesëtarët e saj luftuan për lirinë e Kosovës.
/abcnews.al/


