Jemi në Orosh, në zemër të Mirditës. Kjo është kisha e Shën Lledrit apo e Shën Aleksandrit. Gjin Prenga na tregon se kisha u ndërtua nga Abat Doçi, por u dogj në 1967. Mirdita ka qenë bastion i katolicizmit në Shqipëri, ndërkohë që Republika e Mirditës pati një marrëveshje vasaliteti ndaj sulltanit osman. Padre Michele Leovino ka ardhur nga Bari në Mirditë dhe shërben në kishën e Oroshit.
Shqipja, gjuhë e veçantë, na thotë ai, duke shtuar: “Gjuha shqipe më tingëllon shumë mirë”. Padre Michele Leovino thotë se duhet promovuar Abacia, sepse është “mishërimi i fesë në jetën e popullit”. “Zemra jonë është këtu në Orosh, ky vend të vlerësohet, duhet gjithmonë bashkim dhe bashkëpunim”, na thotë ai. Ndërkohë, Gjin Prenga ka provuar emigracionin në Greqi, ku u detyrua të ndërronte edhe emrin, por u rikthye.
“Dua të vdes këtu në Orosh”, na thotë Gjini. Padre Michele Leovino ka mësuar ndërkohë atë që është krenari për shqiptarët. “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Fshati u dogj dy herë, në kohën e osmanëve dhe të Zogut. Mirditorët morën pjesë dhe vendosën fatin e luftës së Krimesë, duke u bërë pjesë e aleancës franko-turke. Diktatura ishte shumë e ashpër me Oroshin. Babai i Gjinit u shkollua në Itali; kur u kthye, i kërkuan të bëhej agjent i Sigurimit, por nuk pranoi dhe u persekutua. Oroshi është pjesë e 100 fshatrave turistike. Këtu, kisha dhe kapidani kanë qenë autoritetet e padiskutueshme.
Në Orosh është edhe Nanë Mara, e cila na tregon kohët e vështira të komunizmit. “Tash jemi mirë, veç nuk kemi takat me hanger”, na thotë. Na tregon edhe për djalin që shkoi në emigracion në Itali. “I thashë djalit, mos shko, mos shko”, na thotë, duke treguar sa e lumtur ishte kur ai u kthye.
I biri, Marjan Gega, na tregon ushqimet e mrekullueshme të bujtinës, përpunimin e mishit të derrit dhe produktet tradicionale. Këtu sheh një piano të vjetër, çifteli, sharki dhe kitarë. Marjani është rikthyer pas 24 vjetësh. “Paketa e maleve” është ëndrra e tij.
“Falënderoj personalisht zotin Kryeministër, është njeri me vizion”, na thotë, duke shtuar: “mbaroi punë me detin, tani është kthyer te malet”. E bukura Lugina e Fanit të shoqëron kudo në Mirditë, një nga mrekullitë e veriut që pret të rizbulohet.


