Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për efektivin e policisë në Drejtorinë Vendore të Lezhës, Besart Kovaçi, i cili u përfshi në përplasjen me armë mbrëmjen e së dielës në një berberhane në fshatin Rrile.
Sipas burimeve, gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura që zgjati rreth 1 ore e 30 minuta, Kovaçi u ka qëndruar deklarimeve te tij të bëra gjate marrjes në pyetje, duke pretenduar se ka qëlluar me armën e zjarrit që kishte me vete për të neutralizuar situatën, pasi kishte konstatuar praninë e personave të armatosur dhe nuk kishte për qëllim të dëmtonte ndonjërin prej tyre.
Pavarësisht këtyre pretendimeve, gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Në lidhje me këtë ngjarje janë shpallur në kërkim 4 persona, ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i plagosur berberi Sokol Daci, 30 vjec banues në Rrile.
/abcnews.al/


