Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar dokumentacionin e projektit për ndërhyrjen në argjinaturën e lumit Erzen, pas përmbytjeve të ndodhura në zonën e Sukthit, në Njësinë Administrative Katund i Ri.
Sipas vendimit që abc news disponon, Prokuroria e Durrësit ka regjistruar hetimin për veprat penale të “Shkatërrimit të pronës me përmbytje”, “Shkatërrimit të pronës nga pakujdesia” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.
Nga hetimet paraprake, të nisura pas situatës së përmbytjeve të janarit, urdhërit për evakuimin e banorëve dhe denoncimeve në rrjete sociale e media lokale, Prokuroria dyshon se ndërhyrja për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Erzen është kryer pa studim teknik dhe pa leje ndërtimi.
Për këtë arsye, është urdhëruar sekuestrimi pranë Bashkisë së Durrësit i të gjithë dokumentacionit që lidhet me procedurat e prokurimit, zbatimit dhe marrjes në dorëzim të objektit “Rehabilitimi i argjinaturës, ngritjes së bankinës dhe sistemimi i argjinaturës së lumit Erzen”, si edhe dokumentacioni tekniko-ligjor për lejen e ndërtimit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore lidhur me ndërhyrjen në argjinaturën e lumit Erzen dhe pasojat e shkaktuara nga përmbytjet.




