Në studion e ABC e Mëngjesit, këngëtarja Loré erdhi me energji të re artistike, duke folur për bashkëpunimin e saj më të përfolur me MC Kresha, këngën “Ni Ni”, por edhe për eksperiencën e saj në Big Brother VIP dhe jetën sentimentale që sot e bën më të qetë se kurrë.
Kënga “Ni Ni” është shkruar, kompozuar dhe xhiruar para hyrjes së Loré-s në Big Brother VIP, një detaj që, sipas saj, tregon se projekti erdhi i pastër dhe pa ndikime nga fama e reality show-t. E shkruar nga Alban Kondi, kënga lindi spontanisht dhe u shndërrua shpejt në një bashkëpunim me MC Kresha, me të cilin Loré thotë se pati kimi artistike të menjëhershme: “Kemi pasur kimi artistike shumë me Kreshën dhe mund ta quaj sukses.”
“Ni Ni” flet për një flirt modern, ku secili pret mesazhin e tjetrit, një situatë ku shumëkush e gjen veten. Videoklipi i këngës mban vulën e Ajola Xoxës, e cila solli një ide dhe regji krejt ndryshe nga çfarë Loré kishte realizuar më parë: “Ishte diçka krejt e veçantë. Shumë komode të punoje me të, klipi erdhi në një frymë të re.”
Bashkëpunimi me Ajola Xoxën dhe MC Kreshën nuk mbyllet këtu. Loré konfirmon se projekte të tjera janë në rrugë dhe se mezi pret t’i ndajë me publikun. Një tjetër kapitull i rëndësishëm i rrëfimit është eksperienca në Big Brother VIP. Loré foli hapur për dy javët e izolimit, harmoninë mes banorëve dhe faktin që nuk u përfshi në debate:
“E kam shijuar shumë, por më penalizoi që nuk u përfshiva në sherre.”
Sa i përket fituesit të BBVA 5, Loré ndau edhe mendimin e saj, duke ruajtur një ton të qetë dhe të matur, larg dramave që shpesh kërkon formati. Por ndoshta rrëfimi më i bukur është ai për dashurinë. Prej një viti e dashuruar, Loré tregon se sot ndjehet e plotësuar edhe jashtë muzikës: një ndjenjë që shkon përtej këngës dhe skenës.


