Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Trump dhe ilaçet, presioni amerikan rrezikon çmimet dhe furnizimin në Europë

schedule19:36 - 2 Shkurt, 2026

schedule 19:36 - 2 Shkurt, 2026

Fjalimi i presidentit amerikan Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos ka ngjallur shqetësim për situatën e ilaçeve në Europë, pasi për disa minuta ai ka folur për çmimet dhe disponueshmërinë e ilaçeve inovative duke përdorur një narrativë të njohur, sipas së cilës SHBA-ja paguan më shumë se vendet e tjera të zhvilluara për të njëjtat ilaçe dhe pjesa tjetër e botës, përfshirë Europën, përfitojnë nga kjo diferencë.

Trump ka thënë se nëse Franca nuk rrit çmimet, SHBA-ja do të vendosë tarifa deri në 25 për qind, një version që Franca e ka mohuar, por mesazhi mbetet i rëndësishëm për të gjitha tregjet europiane. Ai ka paraqitur idenë se çdo vend aleat përfiton nga Amerika, duke marrë për bazë çmimet më të ulëta të ilaçeve në vendet e pasura si Italia, Franca, Gjermania, Spanja apo Britania, duke e kthyer këtë situatë në një mënyrë për të mbrojtur interesat amerikane.

Kjo politikë ka implikime reale dhe të prekshme, pasi vendet europiane mund të përballen me rritje çmimesh dhe kufizim të furnizimit me ilaçet më të rëndësishme. Prsh Italia, ku çmimet e ilaçeve janë ndër më të ulëtat në botë, mund të bëhet tregu referencë dhe kompanitë mund të rrisin çmimet në vend ose të kufizojnë furnizimin, për të mbrojtur fitimet e tyre në SHBA.



Në të vërtetë, problemi nuk është tek vendet europiane, por tek struktura e tregut amerikan, ku nuk ka blerës të centralizuar, çmimet nuk lidhen me vlerën klinike të ilaçeve dhe ekzistojnë ndërmjetës që mbajnë çmime të larta, ndërkohë që deri në vitin 2022 programi publik Medicare nuk mund të negocionte çmimet për ilaçet, gjë që ka çuar në çmime disa herë më të larta sesa në Europë.

Për shembull, disa terapi onkologjike në SHBA kushtojnë deri 11 herë më shumë se në Gjermani dhe 4 herë më shumë se në Francë, dhe vetëm shpenzimet për ilaçet onkologjike janë 38 për qind më të larta se në Gjermani, 80 për qind më të larta se në Francë dhe 122 për qind më të larta se në Britani, ndërsa Italia qëndron midis Francës dhe Britanisë me çmime relativisht të ulëta dhe për këtë arsye rrezikohet si treg referencë.

Europa ka një model shumë më të qëndrueshëm, ku blerjet bëhen në mënyrë centralizuar për spitalet dhe qytetarët, çmimet lidhen me vlerën klinike të ilaçeve përmes Health Technology Assessment, dhe shumica e ilaçeve të reja aprovohen dhe shpërndahen shpejt në spitalet europiane, duke siguruar qasje të gjerë për qytetarët. Megjithatë, politika amerikane mund të rrezikojë këtë ekuilibër, duke detyruar kompanitë të përqendrojnë furnizimin dhe fitimet në SHBA dhe të kufizojnë aksesin në Europë.

Për qytetarët dhe qeveritë europiane, kjo situatë tregon qartë nevojën për sovranitet farmaceutik, për të zhvilluar kapacitete prodhimi të brendshme për ilaçe strategjike, për të rritur investimet në kërkim dhe zhvillim të terapive inovative brenda Europës, për të siguruar diversifikim të furnizimit dhe blerjeve, në mënyrë që tregjet europiane të mos varen nga SHBA-ja apo nga disa kompani ndërkombëtare dhe për të forcuar mekanizmin e vlerësimit të çmimeve dhe efektivitetit të ilaçeve për të mbrojtur buxhetet e spitaleve dhe shëndetin e pacientëve.

Vetëm duke ndjekur këto hapa, Europa mund të mbrojë qytetarët nga rritja e çmimeve, kufizimi i furnizimit dhe presioni i politikave amerikane, duke ruajtur qasjen në ilaçe inovative dhe me rëndësi jetike, pa u varur nga interesat e tregut amerikan dhe manipulimet politike që synojnë të transferojnë barrën financiare jashtë SHBA-së.

Fjalimi i Trump nuk është thjesht një performancë politike, por një paralajmërim i qartë se pa një strategji të fortë për pavarësi farmaceutike, çdo vend europian, mund të përballet me pasoja të drejtpërdrejta për shëndetin e qytetarëve dhe në buxhetet e shëndetësisë, duke rrezikuar që sistemi aktual i menaxhimit të ilaçeve, që është relativisht efikas, të dëmtohet nga logjika e tregut amerikan dhe kërkesat për “çmime të barabarta”, që favorizojnë SHBA-në. /Corriere Della Sera

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!