Finalizohet operacioni policor i koduar “Targat”. Në pranga ka rënë një 36-vjeçar nga Kosova, pasi dyshohet si autor i disa vjedhjeve të targave të automjeteve, në shërbim të krimit.
Ky shtetas u kap në flagrancë në lagjen nr. 13, Plazh-Durrës, me mjetin tip “Ford”, me targa të vjedhura në lagjen nr. 5, Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Ford”, në bagazh janë gjetur edhe dy targa të një automjeti nga Kosova, si dhe në sediljen e shoferit janë gjetur kaçavida, pinca, një thikë, një palë doreza dhe një kapuç (i ngjashëm me maskat).
Mjete të cilat dyshohet se ky shtetas i përdorte për kryerjen e vjedhjeve. Sendet e mësipërme u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas është autor i vjedhjes së targave edhe në dy automjete të tjera, të ndodhura muajt e fundit.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet do të referohen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale të “Vjedhjes” dhe “Sigurimit të mjeteve për vjedhje”.
/abcnews.al/


