Regjisori i njohur amerikan Steven Spielberg ka fituar Grammy-n e tij të parë, si producent i dokumentarit “Music by John Williams”, i cili u vlerësua me çmimin “Best Music Film” në ceremoninë e sivjetme të çmimeve Grammy.
Me këtë fitore, Spielberg i afrohet statusit prestigjioz EGOT, duke qenë tashmë vetëm një Tony Award larg arritjes së plotë që përfshin çmimet Emmy, Grammy, Oscar dhe Tony.
Në një deklaratë pas marrjes së çmimit, Spielberg falënderoi votuesit e Grammy-ve dhe ekipin e realizimit, duke theksuar rëndësinë e këtij vlerësimi për të dhe bashkëpunëtorët e tij. Ai nënvizoi se ky çmim është veçanërisht domethënës, pasi konfirmon ndikimin e jashtëzakonshëm që kompozitori legjendar John Williams ka pasur në kulturë dhe muzikë për më shumë se pesë dekada.
“Ndikimi i John Williams në kulturë dhe muzikë është i pamatshëm dhe trashëgimia e tij artistike është e pakrahasueshme,” u shpreh Spielberg, duke shtuar se është krenar që është pjesë e këtij dokumentari.
Dokumentari “Music by John Williams”, me regji nga Laurent Bouzereau, i kushtohet jetës dhe karrierës së kompozitorit të njohur për kolonat zanore të disa prej filmave më ikonë të historisë së kinemasë.


