41 ndihmës ligjor, pritet që t’i shtohen Gjykatave të Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit të Përgjithshëm. Së fundmi Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka miratuar vendimin që i hap rrugë plotësimit të 41 vakancave dhe do të ndihmojë në uljen e stokut të dosjeve.
Këtë vendim të KLGJ, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari e ka cilësuar si një hap konkret që i shërben përshpejtimit të dhënies së drejtësisë.
“Vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për miratimin e 41 vendeve vakante për ndihmës ligjorë në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit, është një lajm i mirë. Një hap konkret që i shërben drejtpërdrejt uljes së stokut të dosjeve dhe përshpejtimit të dhënies së drejtësisë. Shtimi i kapaciteteve dhe forcimi i burimeve njerëzore në sistemin tonë të drejtësisë nuk është thjesht një masë administrative, por një zgjedhje politike në funksion të qytetarëve, për një drejtësi më efikase, më të shpejtë dhe më të besueshme. Sigurisht edhe me standarde të panegociueshme demokratike njësoj si në vendet e Bashkimit Evropian”, tha Lamallari.
Ngarkesa më e madhe e stokut të dosjeve, vijon të jetë në Gjykatën e Apelit, por edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Procesi i vettingut nxori jashtë sistemit më shumë se gjysmën e trupës së magjistratëve. Për rrjedhojë, në gjykata u krijuan vakanca të shumta që vijojnë të mbeten të paplotësuara prej vitesh.
Sipas të dhënave nga KLGj, struktura organizative për të gjitha gjykatat parashikon 417 gjyqtarë. Organika faktike aktuale rezulton të ketë 308 gjyqtarë të emëruar, nga të cilët janë efektivisht në detyrë 265. Në situatë më dramatike shfaqet Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, që duhet të ketë në përbërje 78 gjyqtarë. Aktualisht në këtë gjykatë janë të emëruar 33 gjyqtarë.
/abcnews.al/


