Reagimi i presidentit amerikan vjen gjatë vizitës së kryeministrit britanik Keir Starmer në Pekin
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se është “shumë e rrezikshme” që Mbretëria e Bashkuar të rrisë bashkëpunimin ekonomik me Kinën, ndërsa kryeministri britanik Sir Keir Starmer po zhvillon një vizitë zyrtare në Pekin për të rifreskuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Komentet e Trump erdhën pas njoftimit të disa marrëveshjeve për rritjen e tregtisë dhe investimeve mes Britanisë dhe Kinës, të arritura pas takimit të Starmer me presidentin kinez Xi Jinping, në kuadër të një vizite tre-ditore.
“Është shumë e rrezikshme që ata ta bëjnë këtë,” u shpreh Trump, kur u pyet për forcimin e lidhjeve ekonomike mes Londrës dhe Pekinit.
Në reagim, zyra e kryeministrit britanik në Downing Street bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara kishin qenë të informuara paraprakisht për vizitën dhe objektivat e saj. Po ashtu, u kujtua se vetë Trump pritet të vizitojë Kinën në muajin prill.
Presidenti amerikan nuk u ndal më tej te Britania, por lëshoi paralajmërime edhe ndaj Kanadasë, duke thënë se bashkëpunimi i saj me Kinën është “edhe më i rrezikshëm”. Ai shtoi se Kanadaja nuk duhet ta shohë Kinën si zgjidhje për problemet ekonomike.
Ndërkohë, Sir Keir Starmer ka deklaruar se marrëdhëniet mes Britanisë dhe Kinës ndodhen në një “fazë të mirë dhe të fortë”. Ai tha se takimet me presidentin Xi kishin qenë “shumë pozitive” dhe kishin sjellë përparim konkret.
Gjatë vizitës janë njoftuar disa marrëveshje, përfshirë udhëtimin pa viza, uljen e tarifave për uiskin britanik dhe një investim prej 10.9 miliardë paundësh nga kompania AstraZeneca në Kinë. Po ashtu, palët ranë dakord për bashkëpunim në fusha si lufta kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm.
Vizita e Starmer ka ngjallur kritika nga opozita britanike, e cila e ka akuzuar qeverinë se po vë interesat ekonomike përpara sigurisë kombëtare.
Sipas të dhënave zyrtare, SHBA-ja ishte partneri më i madh tregtar i Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2025, ndërsa Kina renditet e katërta.


