“E dua shumë transferimin jashtë vendit, Shkëmbi iku pas një humbje të padrejtë”

schedule08:43 - 24 Dhjetor, 2019

schedule 08:43 - 24 Dhjetor, 2019

Sherif Kallaku e dëshiron shumë një aventurë jashtë vendit. Fantazisti i Teutës, i cili u gradua edhe si kapiten i Shqipërisë U21 pak kohë më parë, i ftuar në emisionin “Pressing” në ABC News, mohon të ketë informacione nga ofertat që kanë. Mes të tjerash ai flet edhe për kombëtaren e 21-vjeçarëve, si dhe për shkarkimin e trajnerit Bledi Shkëmbi pas humbjes me Kukësin.

“Të jem i sinqertë e pres këtë transferim, pasi si çdo futbollist dua të provoj veten në një kampionat tjetër. Unë nuk kam dijeni për këtë pjesën e ofertave, pasi duhet pyetur presidenca. Kam edhe 6 muaj kontratë me Teutën”, tha fillimisht Kallaku.

Më tej ai flet edhe për ecurinë e Shqipërisë U21: “Nuk kemi pasur dhe shumë fat. Në shumë ndeshje kemi pasur lojtarë të dëmtuar dhe trajneri Bushi është detyruar të marrë lojtarë të rinj për t’i zëvendësuar. Gjithsesi, të konkurrosh ndaj Anglisë nuk është pak”.

Bledi Shkëmbi ka pasur një raport të mirë me futbollistët dhe normalisht largimi i tij është shoqëruar me mesazhe pozitive drejtuar korçarit. Gjithsesi në Durrës janë të bindu se humbja me Kukësin u pengua prej gjykimit dhe në njëfarë mënyre ndihen keq për mënyrën se si u largua trajneri i tyre.

“Sigurisht që ndikuan rezultatet në largimin e Shkëmbit, por ai u shkarkua pas një ndeshje të humbur në mënyrë të padrejtë kundër Kukësit”, tha mes të tjerash Kallaku, i cili një ditë më parë shënoi në portën e Flamurtarit golin e katërt në kampionat për këtë sezon. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!