Pas Prizrenit dhe Drenasit, drejtësia në Kosovë ka patur si objekt këtë të mërkurë komunën e Malishevës. Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur këtë të mërkurë një aksion lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore në këtë komunë, duke intervistuar dhjetëra komisionerë.
Aksioni ka të bëjë me dyshime për manipulime me vota në favor të kandidatëve për deputetë. Edhe në Malishevë, ndryshimet më të mëdha në numrin e votave pas rinumërimit janë evidentuar tek Partia Demokratike e Kosovës ku kandidatët për deputetë Gazmend Maliqaj, Fetah Paçarizi, Adnan Thaqi, Hajdar Beqa dhe Arbnor Salihu kanë humbur qindra vota.
Me më pak vota pas rinumërimit kanë dalë edhe kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje Valon Hoti dhe Gani Krasniqi. Pas manipulimit të votave nga ana e komisionerëve që zbuloj rinumërimi i plotë në 38 komuna të vendit, në një aksion të Prokurorisë, u arrestuan 109 persona në Prizren. Prej tyre, 23 përfunduan në paraburgim.
Dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit kanë hedhur dyshime serioze mbi procesin zgjedhor ndërsa Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve synon ta përfundoj procesin në fundjavë.
Deri më tani janë rinumëruar mbi 80 për qind e votave./abcnews.al


