TIRANË- Ish-Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Arben Çejku komentoi vizitën e kryeministrit Edi Rama në Izrael.
Ai shtoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit kanë hyrë një një tjetër raport, ndërsa shpjegoi dhe arsyet që sipas tij po bëhen këto lëvizje, edhe nga kryeministri Edi Rama,
“Shqipëri-Izrael kapitull tjetër marrëdhëniesh. Ne kemi një kthesë në raport me Izraelin dhe për çfarë arsyesh bëhet, e para kryeministri mendon që nëpërmjet Izraelit do jetë shumë më afër administratës Trump. Rama ka parë që europianët kanë problematika në raport me Washingtonin.
Duket që Izraeli e garanton më shumë Ramën aty ku ka ndoshta pengesa dhe aty për të rikuperuar marrëdhëniet. Si një vend i vogël, jemi të detyruar të kemi marrëdhënie me të gjithë, me partneritet strategjik duhet të kemi kujdes se më kë e vendosim partneritetin strategjik. Shqipëria përfiton nga marrëdhëniet e mira me Izraelin. Ne kemi një traditë të mirë të këtyre marrëdhënieve”, tha ai.
Ai shpjegoi në “Real Story” se klima e ngrohtë për pritjen e hebrenjve në Shqipëri ka nisur që në vitin 1931, në kohën e Mbretit Zog.
“Ne kemi marrëdhënie me atë që nga 1931, kur kanë filluar të vijnë hebrenjtë e parë. Mbreti Zog dërgoi një qarkore në të gjithë konsullatat shqiptare, ku kërkonte që çdo hebre që paraqitet dhe kërkon ndihmë për të ardhur në Shqipëri duhet t’i jepet letra dhe duhet të vinte në Shqipëri. Ai kishte shtatë hebre në oborrin mbretëror, që shërbenin.”, tha ai.
Diplomati Çejku shpreh se në politikën e jashtme Shqipëria nuk ka arritur dot t’i shfrytëzojë siç duhet dy “bekime” të mëdha.
“Dy gjëra ne nuk kemi arritur t’i shfrytëzojmë në politikën e jashtme: faktin që Nënë Tereza ishte shqiptare, e famshme në të gjithë botën dhe mbrojtjen që iu bëmë hebrenjve dhe këtë aset e përdori Tito për disa kohë më radhë në negociata dhe në daljen e tij në det, në marrëdhëniet me SHBA dhe tani më në fund është kuptuar se çfarë kanë bërë shqiptarët për hebrenjtë.”, tha ai./abcnews.al


