Gjykata Kushtetuese ka vendosur që kërkesa e paraqitur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me masën e sigurisë “arrest në burg”, të kalojë për shqyrtim në seancë plenare. Masa ndaj Veliajt ishte vendosur më 10 shkurt 2025.
Nuk është vendosur ende një datë se kur do të shqyrtohet ankimi i Erion Veliajt për t’u rikthyer në detyrë.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kjo e fundit kërkoi pushim të çështjes.


