Analisti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Endri Tafani, ka komentuar në emisionin “NewsRoom” në ABC News nismën për krijimin e Bordit të Paqes për Gazën dhe përfshirjen e Shqipërisë në këtë strukturë të re ndërkombëtare. Sipas Tafanit, ideja e presidentit amerikan Donald Trump për ngritjen e këtij bordi erdhi si pasojë e dështimit të OKB-së për të menaxhuar konfliktet globale dhe përbën një zhvillim të papritur jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për arenën ndërkombëtare.
Ai theksoi se në Kuvend mungoi një analizë e thelluar mbi përfitimet dhe kostot që Shqipëria mund të ketë nga kjo ftesë, duke ngritur pikëpyetje mbi raportin e Bordit të Paqes me OKB-në dhe BE-në, rolin konkret të Shqipërisë në të, si dhe implikimet politike dhe financiare të angazhimit në një nismë që mund ta vendosë vendin në një lojë gjeopolitike më të madhe sesa kapacitetet e tij.
“Trump duke parë që ka zgjedhur 8 konflikte, ndërkohë që OKB nuk ka bërë asgjë, i lindi ideja për të krijuar Bordin e Paqes, e cila do të jetë përtej Gazës. Ishte diçka e paparitur jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për botën. Kina dhe Rusia kanë marrë ftesë, por nuk e kanë konfirmuar akoma. Ajo që mungoi në parlamentin e Shqipërisë ishte mungesa e një analizë, se çfarë përfitojmë dhe çfarë humbasim nga ftesa e Trump në Bordin e Paqes. Është një organizatë që konkurron OKB-në. Kjo organizatë duket se konkurron OKB-në edhe pse Trump shprehet që ka lindur nga ajo.
A i intereson Shqipërisë të jetë në një organizatë që është kundër OKB-së?! A mund të jemi ne në një organizatë që është kundër BE-së?! Shqipëria që bëhet pjesë e këtij bordi dhe që aspiron BE-në futet në një lojë më të madhe se s’ka këllqe për ta përballuar. Diskutimi për pjesën financiare nuk u përmend fare në Parlament. Nuk u diskutua nëse do të jetë anëtare e përhershme apo e përkohshme në Bordin e Paqes për Gazën. Shqipërisë i leverdis që të jetë krah SHBA-ve sepse BE ka problemet e saj të brendshme”, tha analisti.


