Një ditë pas protestës me molotov dhe fishekzjarre të Partisë Demokratike, kryeministri Edi Rama tha se nuk ka parti të dytë në Europë, që kryefjalë të programit, të ketë dhunën dhe sulmin ndaj pronës publike si ajo e drejtuar nga Sali Berisha në Tiranë. Dhe e vetmja gjë që lë pas është shkatërrimi.
“Ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve.”
Akte të cilat thotë se u zbatuan nga militantë të rekrutuar me para nga lidershpi I PD.
“Deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!”
Ndërsa dirigjenti mbetet I njëjtë. Po aq dhe përfundimi. Dhunë, zjarr dhe dëshpërim.
“Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!”
Në mbyllje të reagimit të tij, Rama iu uroi shërim të shpejtë punonjësve të policisë, të cilët u lënduan gjatë asaj që e cilëson lukuni e verber…


