Gazetari Fatos Mahmutaj, i cili mbeti i plagosur në protestën e 21 janarit, rrëfeu për Orën e fundit detaje nga dita ku plumbat e shtetit u derdhën drejt qytetarëve.
Mahmutaj tha se të gjithë gardistët qëlluan dhe se plumbi që preku atë dhe Hekuran Dedën dolën nga e njëjta armë.
Gazetari shtoi më tej se prokuroria nuk ka asnjë të akuzuar dhe se Berisha vijon me mashtrime.
” Nuk kam arritur të zbuloj kush më ka goditur. Është qëlluar nga Agim Llupo dhe Arjan Adhami. Të dy kanë qëlluar me armë të vogla automatike “Thompson”, ndërsa Ndrea Prendi ka qëlluar me pistoletë. Unë jam goditur me plumbat e njërës nga këto armë, ashtu si edhe Hekuran Deda, i cili u varros pa u kryer ekspertiza.
Janë dy persona të akuzuar prej meje në këtë çështje, por ende prokuroria nuk ka një të akuzuar real.
Berisha ka akuzuar se edhe dritaret janë qëlluar me snajper nga protestuesit.
Garda ka qëlluar me kallashnikovë, pistoleta, automatikë dhe armë me plumba plastikë. Të gjithë gardistët kanë qëlluar, disa në ajër dhe disa drejt njerëzve.
Nuk është qëlluar asnjë fishek drejt Kryeministrisë, sepse askush nuk kishte armë, përveçse janë hedhur gurë dhe sende të forta. Berisha është mashtrues dhe këto mashtrime i beson edhe vetë.“


