Policia e Shtetit bën thirrje për kujdes ndaj faqeve të rreme që po qarkullojnë se fundmi, të cilat imitojnë faqen zyrtare të Policisë së Shtetit dhe synojnë mashtrimin e qytetarëve, nëpërmjet kërkesave për pagesa të pretenduara të gjobave të automjeteve.
Në një reagim zyrtar, Policia e Shtetit sqaron se ky rast përbën një tentativë mashtrimi kibernetik (phishing), me qëllim përfitimin e paautorizuar të të dhënave personale, numrave të telefonit, të dhënave të automjeteve, të dhënave bankare, PIN-eve dhe kodeve të aksesit në llogari online, duke i ekspozuar qytetarët ndaj rrezikut të humbjeve financiare dhe abuzimit me identitetin e tyre.
Reagimi i plotë:
Apel për kujdes nga faqe mashtruese që imitojnë Policinë e Shtetit dhe kërkojnë pagesa të rreme për gjoba automjetesh.
Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik informon qytetarët se së fundi është konstatuar qarkullimi i mesazheve mashtruese (SMS) dhe lidhjeve të rreme (linke), të cilat imitojnë faqen zyrtare të Policisë së Shtetit dhe synojnë mashtrimin e qytetarëve, nëpërmjet kërkesave për pagesa të pretenduara të gjobave të automjeteve.
Lidhjet e dërguara çojnë drejt një faqeje të rreme, e cila në pamje të parë paraqitet si faqe zyrtare e Policisë së Shtetit, duke përdorur stemën institucionale, imazhe të ndërtesës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe elemente grafike që imitojnë shërbimet emergjente. Në hapin e parë, qytetarëve iu kërkohet të konfirmojnë identitetin, duke vendosur numrin e telefonit celular. Në hapin vijues, faqja kërkon numrin e targës së automjetit, ndërsa në fazën e fundit iu kërkohet plotësimi i të dhënave bankare, me pretendimin për kryerjen e pagesës së gjobës.
Policia e Shtetit sqaron se kjo faqe nuk është faqe zyrtare, pasi përdor një adresë interneti të rreme (domain: aspalgov.cyou), e cila nuk i përket asnjë institucioni shtetëror.
Ky rast përbën një tentativë mashtrimi kibernetik (phishing), me qëllim përfitimin e paautorizuar të të dhënave personale, numrave të telefonit, të dhënave të automjeteve, të dhënave bankare, PIN-eve dhe kodeve të aksesit në llogari online, duke i ekspozuar qytetarët ndaj rrezikut të humbjeve financiare dhe abuzimit me identitetin e tyre.
Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik apelon për qytetarët:
-Të mos klikojnë në lidhje të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, email-eve apo rrjeteve sociale;
-Të mos vendosin numra telefoni, të dhëna personale apo bankare në faqe jozyrtare;
-Të kenë parasysh se Policia e Shtetit nuk kërkon konfirmim identiteti apo pagesa gjobash përmes linkeve të dërguara me SMS;
-Të verifikojnë çdo informacion vetëm përmes kanaleve zyrtare të Policisë së Shtetit;
-Në rast dyshimi apo mashtrimi, të raportojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre veprave, në hapësirën digjitale, si dhe fton qytetarët, që të tregojnë kujdes maksimal për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale dhe financiare.




