Grupet e verifikimit të dëmeve nga përmbytjet në banesa, përfunduan punën në Ferras, ku rezultojnë 110 shtëpi të dëmtuara nga përmbytjet e Vjosës. Procesi i verifikimit vazhdon për Mbrostarin dhe Libofshën, dy njësi administrative ku u përmbytën gjithsej 20 shtëpi nga dalja e lumit Seman nga shtrati.
Të dhënat paraprake nga bashkia e Fierit flasin për një faturë financiare prej miliona lekësh kompensim për familjet e prekura nga përmbytjet. Në Lushnje u evidentuan dëmet në 20 banesa në fshatin Thanasahmj të cilat u përmbytën nga dalja prej shtratit e lumit Shkumbin.
Por dëmet më të mëdha janë në të mbjella. Toka bujqësore, sera ullishta dhe vreshta si edhe dhjetëra komplekse blegtorale u përmbyt gjatë përmbytjeve të janarit. Nga një bilanc paraprak i drejtorisë së Bujqësisë, mbi 3800 ha tokë bujqësore janë nën ujë. Për këto dëme, pritet largimi i ujërave nga sipërfaqet bujqësore që të nisë puna për verifikimin e dëmeve. Qeveria shqiptare do të dëmshpërblejë çdo bujk dhe blegtor për dëmet nga përmbytjet.


