TIRANË– Ashtu si në takimin me kreun e ri të SPAK dhe të BKH, edhe gjatë takimit me kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, e ngarkuara me punë Nancy VanHorn përcolli linjën e administratës së re amerikane, në bashkëpunimin me drejtësinë e re në Shqipëri: çmontimin e rrjeteve të narkotrafikut dhe krijimin e kushteve të barabarta për bizneset amerikane.
“Gjykata Kushtetuese luan një rol të rëndësishëm në garantimin e drejtësisë për qytetarët shqiptarë, duke i mbajtur përgjegjës ata që shkelin ligjet e saj dhe duke ruajtur një sistem ligjor të drejtë dhe të parashikueshëm, në mënyrë që bizneset amerikane të mund të lulëzojnë”, thekson Ambasada Amerikane.
Takimi i Van Horn dhe deklarata e saj vjen ditën kur një tjetër investim i rëndësishëm amerikan u bë publik në Tiranë, ai i parkut të energjisë eolike në Tropojë, me një kapacitet të madh prej 600 megavatesh, i cili pritet të vihet në funksionim brenda një viti.
Ky nuk është takimi i parë që Van Horn ka zhvilluar me institucionet e drejtësisë.
Më herët, e dërguara e Uashingtonit u takua edhe me kreun e SPAK, Klodjan Braho, ku nënvizoi mbështetjen ndaj SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve, që duket se është tashmë fokusi qendror i Shteteve të Bashkuara edhe në bashkëpunimin me drejtësinë shqiptare.
/abcnews.al


