Napoli ia doli të fitonte kundër Sassuolos jashtë fushe dhe u rikthye te fitorja pas tetë javësh. Triumfi i parë me Gennaro Gattuson në pankinë, teksa golat e Allan dhe Elmas përmbysën disavantazhin e pjesës së parë në ndeshjen e mbrëmjes së kaluar. Trajneri i Napolit pret ende shumë nga ekipi dhe tregon mënyrën e duhur për t’i dhënë fund krizës.
“Duhet të shërohemi, jemi të sëmurë dhe rruga përpara është e gjatë. Duhet të përmirësohemi, por kjo skuadër është e fortë. Nuk kemi probleme kualiteti, thjesht duhet të kemi ekuilibër. Nuk mund të bëjmë mrekulli në vetëm 10 ditë.
Duhet t’i japim vazhdimësi punës së nisur 10 ditë më parë. Unë dua të futem në shpirtin e lojtarëve, dikush mund të bezdiset, por unë vetëm në këtë mënyrë di ta bëj punën time.
Champions? Nëse do mendoja tani për ndeshjet me Barcelonën, do më thinjeshin flokët. Të mendojmë në fillim për Lazion, Interin dhe gjithë skuadrat e tjera me të cilat do përballemi“, përfundon Gennaro Gattuso. /abcnews.al

