I ftuar në studion e “ABC e Mëngjesit”, Ilir Ciko fotograf i botës së egër dhe ekspert ekonomie, prezantoi një projekt të veçantë që i dedikohet zogjve të rrallë mbi qiellin shqiptar.
Ai ka përgatitur një kalendar për vitin 2026 me fotografi të shkrepura ekskluzivisht në Shqipëri, në mbështetje të Shoqatës Mjedisore për Shpendët. Të gjitha të ardhurat nga kalendari, kanë shkuar për AOS, ndërsa shpenzimet i ka mbuluar vetë autori.
Ciko tregoi se fotografimi i shpendëve në fluturim është një nga teknikat më të vështira, por edhe më emocionueset. Sipas tij, shpendët e tërheqin sepse janë jetikë, lëvizin vazhdimisht dhe kanë një botë komplekse familjare. Ai shpjegoi se muajt mars dhe prill janë një “korridor” migrimi, ku shumë shpendë kalojnë nëpër Shqipëri. Shumë prej fotografive janë realizuar pranë Liqenit Artificial të Tiranës, një zonë që fsheh surpriza të mëdha natyrore. Ciko pranoi se nuk i njeh gjithmonë të gjitha speciet në momentin e fotografimit, por i studion më pas.
Miqtë e tij shpesh habiten kur mësojnë se shpendët më të bukur “pozojnë” në zemër të Tiranës. Përveç fotografisë së botës së egër, ai ndan pasionin edhe për wind surfing. Në kërkim të erës dhe dallgës perfekte, Ilir Ciko eksploron edhe detet shqiptare, duke e kthyer natyrën në burim frymëzimi të vazhdueshëm.


