Kalari: Fitoret me sakrifica të shijojnë, ja çfarë cilësish duhet të ketë trajneri i ri

schedule18:12 - 22 Dhjetor, 2019

schedule 18:12 - 22 Dhjetor, 2019

Partizani nuk e pati të thjeshtë kundër Vllaznisë, por fitoi falë golit të Bitrit dhe u rikthye te fitorja pas tre humbjeve rresht. Trajneri i “Demave”, Renaldo Kalari ka analizuar përballjen kundër ekipit shkodran  në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

FITORJA – “Realisht ishte një fitore e vështirë. Këto lloj fitoresh të shijojnë më shumë, sidomos pas tre rezultateve negative. Ishte e rëndësishme të fitonim ndeshjen, të sakrifikonim dhe të jepnim maksimumin. Vazhdojmë me sëmundjen e vjetër të humbjes së rasteve, më vjen keq për këtë gjë”.

SAKRIFICA – “Është një fitore që vjen me forcë karakteri, duhet ta tregonim sot këtë gjë. Sakrifikuam dhe dhamë shpirtin në fushë. Kjo është forca e skuadrës që ka objektiva madhorë, si fitimi i titullit”.

TAKTIKA – “Kur synon fitore, do rrezikosh më shumë. Do shtosh një forcë më shumë në sulm, do heqësh një në mbrojtje. Normalisht patëm disa rreziqe, por më pas shënuam dhe vendosëm ekuilibrat”.

TRAJNERI I RI – “Asnjë nga ne nuk e ka idenë se kush do jetë. Këtë e di vetëm presidenti dhe drejtori. E rëndësishme është që të vijë një trajner që e njeh ambientin dhe kampionatin, të hyjë direkt në ritmin e kësaj skuadre dhe të vijojë rrugën që ka klubi ynë për t’u shpallur kampion”. /abcnews.al