Sondazh

Rama dhe Berisha në daljet vjetore, cili ju bindi më shumë:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Trump: Operacion i jashtëzakonshëm/ Kërcënon besnikët e Maduro: Jemi gati për operacion të dytë

schedule19:25 - 3 Janar, 2026

schedule 19:25 - 3 Janar, 2026

Personi që po shihni në ekran është Nicolas Maduro, presidenti venezuelian, i cili u arrestua në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune në një operacion të forcave ushtarake brenda territorit të këtij shteti. Me syze të cilat s’e lënë të shikojë dhe kufje të mëdha për të mos dëgjuar asgjë, presidenti venezuelian shihet i prangosur, me vetëm një shishe uji në dorë, në anijen ushtarake amerikane Iwo Jima. Fotoja u publikua nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili nga rezidenca e tij Mar-a-Lago, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të udhëheqin Venezuelën deri në një tranzicion paqësor.

“Ne do ta drejtojmë Venezuelën deri në momentin kur atje do të jetë e mundur të kemi një tranzicion të sigurt dhe të mençur. Nuk duam të lejojmë përfshirjen e dikujt tjetër që kërkon thjesht të vijë në pushtet dhe të kemi të njëjtën situatë që kemi pasur në vitet e shkuara. Ne do ta drejtojmë këtë shtet derisa atje të jetë i mundur një tranzicion i sigurt, i duhur dhe i mençur. Ne duam paqe, liri dhe drejtësi për popullin e madh të Venezuelës”, tha Trump.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të kryejnë një sulm akoma më të madh në Venezuelë, pasi kishin plan për një sulm të dytë, por shtoi se shpreson se diçka e tillë nuk do të jetë e nevojshme, duke paralajmëruar kështu çdo forcë që mendon të sjellë destabilitet. Donald Trump zbuloi gjithashtu se kompanitë amerikane do të investojnë në Venezuelë për të përfituar nga nafta e këtij shteti, që njihet si shteti që ka rezervat më të mëdha të arit të zi në botë.



“Do t’i bëjmë kompanitë amerikane kompanitë më të mëdha të naftës në botë. Kompanitë tona do të investojnë duke shpenzuar miliarda dollarë për të rregulluar infrastrukturën e dëmtuar rëndë të naftës në Venezuelë, duke filluar kështu të fitojnë para për vendin”, tha Trump.

Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kryen sulmin në orët e para të mëngjesit të së shtunës pasi ndalën elektricitetin në të gjithë Venezuelën si pasojë e një teknologjie të veçantë që ata zotërojnë. Sipas raporteve të mediave ndërkombëtare, të paktën 7 shpërthime u regjistruan në Karakas, kryeqytetin e këtij shteti. Avionët amerikanë bombarduan një bazë ajrore në shtetin e Mirandës, portin La Guaira, i cili është kanali kryesor i Karakasit për në Detin e Karaibeve, aeroportin Higuerote, ndërtesën e Parlamentit në Karakas, si dhe vendin e mauzoleumit të Çavezit.

Teksa ushtria amerikane kryente sulmet e saj tokësore, Njësia Delta, njësia më elitare e ushtrisë amerikane, kreu operacionin e arrestimit të Maduros dhe bashkëshortes së tij, pasi CIA dha të gjitha të dhënat mbi vendndodhjen e presidentit venezuelian. Sipas asaj që shkruajnë mediat amerikane, sulmi ndaj Venezuelës ishte parashikuar të kryhej përpara Krishtlindjeve, por u shty për shkak të trazirave në Nigeri.

Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, zbuloi përmes një statusi në rrjetin social X se për Maduron dhe bashkëshorten e tij janë ngritur akuza zyrtare nga Gjykata e Distriktit Jugor të Nju Jorkut. Bondi deklaroi se Maduro akuzohet për narkoterrorizëm, transport kokaine, si dhe posedim të mitralozëve dhe pajisjeve shkatërruese, të cilat do të përdoreshin kundër Shteteve të Bashkuara. Presidenti venezuelian dhe bashkëshortja e tij do të gjykohen dhe do të vuajnë dënimin e tyre në tokë amerikane, tha Bondi.

Ministri i Jashtëm venezuelian, Vladimir Padrino Lopez, mbajti një konferencë për shtyp ku tha se vendi do t’u rezistojë trupave të huaja dhe shtoi se forcat e armatosura janë në gatishmëri për luftë, ndërsa Ministri i Jashtëm i Venezuelës i kërkoi Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara të mbajë një takim urgjent.

Presidenti Donald Trump javët e fundit kishte lënë të kuptohej mundësinë e sulmeve tokësore kundër Venezuelës dhe kishte deklaruar se ditët e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, ishin “të numëruara”, pasi vendosi një flotë anijesh luftarake në Karaibe.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!