Në përmbyllje të konferencës së fundvitit për bilancin e 2025, Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në Kryeministri. Kryefjala e këtij viti ishte padyshim SPAK-u, me arrestime dhe hetime të eksponentëve të rëndësishëm në sferën politike, të cilën Rama e komentoi si një institucion që bën vetëm punën e vet.
Rama tha më tej se SPAK nuk është opozita e qeverisë, por një institucion i krijuar falë vullnetit të PS-së.
“Për SPAK-un, dua t’ju them që nuk është opozita e qeverisë, është një institucion i ri i krijuar falë vullnetit të kësaj force, i mbështetur dhe i garantuar nga kjo forcë qeverisëse, ku të tjerë janë betuar që do e shkrijnë, por votat i kemi ne.
Është një institucion që bën punën e vet, nuk është opozita e qeverisë, por depresioni ku ndodhet opozita politike e qeverisë bën që puna e SPAK të jetë e vetmja pikë referimi e opozitës depressive për të goditur qeverinë dhe tenxheret politike dhe mediatike, produktin e marrin dhe e gatuajnë në 700 lloj gjellërash duke bërë diçka që s’ka ndodhur në Shqipëri për herë të parë, duke shfrytëzuar gjysmë të vërteta për të prodhuar një tym që djeg sytë e publikut.” / abcnews.al /

