Drita e Gjilanit synon të fitojë titullin kampion dhe për këtë drejtuesit po mundohen të përforcojnë skuadrën në ato pozicione ku e kanë të domosdoshme. Gjatë pjesës së parë të sezonit, stafi teknik është dashur të improvizojë në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Tanimë në Gjilan po kërkojnë të gjejnë lojtarin e duhur për atë pozicion dhe sipas Gazeta Sheshi është piketuar Goran Siljanovksi, i cili është pjesë e skuadrës së Rabotnicki. “Romantikët” po kalojnë një moment të vështirë, por pritet të përforcohen në janar.

Drita duhet të bëjë ofertën e duhur për anësorin e krahut të djathtë. Siljanovksi ka luajtur në Superiore me Flamurtarin dhe në pozicionin e tij ka qenë ndër më të mirët. Futbollisti 29-vjeçar u largua nga Vlora vjet në janar, por ishte i pafat.
Një dëmtim e la jashtë fushave të blerta deri në fund të sezonit, kurse këtë vit ka luajtur në 12 ndeshje me skuadrën e Rabotnicki. Siljanovksi është në kontratë me këta të fundit dhe mbetet të shihet nëse do të bjerë dakord me drejtuesit e Dritës, që më pas të tentojë zgjidhjen e kontratës me klubin shkupian. /abcnews.al

