Samiti i Mini-shengenit ka përplasur sërish kreun e qeverisë Edi Rama me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj. Rama tha se Kosova u vetëpërjashtua nga takimi në Tiranë.
Ndërsa Haradinaj në një reagim u shpreh se Kosova nuk ka nevojë për Mini-shengen me kryeqytet Serbinë. Rama e quajti gënjeshtar Haradinajn lidhur me taksën që ka vendosur Kosova për mallrat serbe.
Përplasjet e forta mes kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj nuk po shuhen, përkundrazi.
Sot në takimin me liderët pjesë e samitit për Mini-Shengenin ballkanik, kryeministri Rama tha se Kosova u vetëpërjashtua dhe kjo është në dëm të saj.
Zhvillimet në Tiranë janë ndjekur nga kryeministri në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj që u përgjigj në këtë mënyrë për Mini-shengenin ballkanik.
Haradinaj u përgjigj edhe për një deklaratë të Ramës që nëse ai do të dëgjonte presidentin francez Emmanuel Makron për të hequr taksën, tani Kosova do të kishte liberalizimin e vizave. Sipas mendimit të Haradinajt, Rama mund të ndihmoj ndryshe bashkëkombasit e Kosovës.
“Nëse Ramës po i dhimbsen kosovarët t’ua heq atë taksën e Kukësit dhe atëherë i kishim besuar edhe të tjerat”.
Në komunikimin e Ramës me gazetarët pas konferencës së zhvilluar mes Vuçiçit e Zaev, kryeministri nuk u kursye ndaj Haradindajt, duke përdorur për të epitet të rëndë.
“Haradinaj është një gënjeshtar që ka gënjyer përsëri. Gënjen nga padija apo me qëllim nuk kam arritur ta zbuloj. Por është një gënjeshtar. Nuk pati kusht për Kosovën”.
Përplasja e nisur që nga samiti i Berlinit në maj të këtij viti mes kryeministri Edi Rama dhe Ramush Haradinajt nuk po shuhet.
Kujtojmë që kryeministri Rama as një falënderim nuk adresoi ndaj Haradinajt për ndihmën e madhe që dha Kosova për Shqipërinë pas goditjes së vendit nga tërmeti i 26 nëntorit. Rama falënderoi vetëm Presidentin Thaçi./abcnews.al