Është mbyllur takimi mes Udineses dhe Cagliarit, i luajtur në “Dacia Arena” dhe i vlefshëm për javën e 17-të në Serie A. Bardhezinjtë e drejtuar nga Gotti arritën të fitonin 2-1 pëballë ekipit surprizë të këtij sezoni. Ishte ylli i Udineses, Rodrigo De Paul, ai që shënoi golin e parë të sfidës.
Argjentinasi gjen rrjetën në minutën e 39-të, duke përfituar nga një asist i mesfushorit Fofana. Cagliari nuk u dorëzua për asnjë moment në këtë takim dhe luftoi deri në fund për të shmangur humbjen. Joao Pedro barazoi për miqtë në minutën e 84-ët dhe dukej sikur Cagliari do të dilte minimalisht me një pikë nga kjo transfertë.
Por, Udinese shënoi sërish një minutë më vonë, duke rimarrë avantazhin. Mesfushori Fofana tashmë do të shënonte vetë, për të vendosur rezultatin final të sfidës në 2-1. Me këtë triumf, Udine ngjitet në kuotën e 18 pikëve, duke lënë zonën e ftohtë të renditjes, ndërsa Cagliari nuk arrin të ngjitet edhe më lart në tabelë, duke qëndruar në vend të pestë./abcnews.al
Serie A, java 17
Udinese – Cagliari 2-1
De Paul 39′, Fofana 85′ / Joao Pedro 84′