Këtë të hënë shënohet 8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë. E shpallur prej vitit 2009 nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.
Në një rrëfim të detajuar në emisionin “Real Story” në ABC News, analisti Skënder Minxhozi theksoi se grupi i studentëve dhe pedagogëve që u nisën drejt takimit me Ramiz Alinë “ishte i papërgatitur për madhësinë e momentit”, ndërsa udhëtimi drejt Presidiumit zhvillohej mes pasigurie dhe frike reale. Minxhozi tregoi se Alia kishte “filtruar informacionin” duke lënë të kuptohej se kishte shkarkuar disa figura të Byrosë Politike dhe ishte gati të shpallte pluralizmin politik, një lëvizje që, sipas tij, shoi tensionin e saposhfaqur dhe shënoi kthesën vendimtare drejt pluralizmit në Shqipëri.
“Ishte një grup i papërgatitur, po objektiv në punë. Sot edhe 35 vite larg, edhe dokumentet sekrete nuk janë më sekrete. Duhet të thuhet diçka, sepse koha ka bërë të vetën. Ai grup që shkoi te Ramiz Alia ishte i papërgatitur për momentin e madh për të cilin po shkonte. Ishte moment historik. Ka një detaj mendoj unë, që në Tiranë u hap lajmi që Alija kishte filtruar si informacion, kishte shkarkuar disa anëtarë të Byrosë politike.
Pjesën e tij e menaxhoi shumë me takt, sepse ne shkuam për të kërkuar pluralizëm politik. Dhe na tha dy gjëra: kam shkarkuar më shumë se gjysmën e figurave komuniste, dhe e dyta shpall pluralizmin politik. Me pak fjalë solli makinën e zjarrfikëses në një zjarr që sapo kishte filluar të ndizej. Pjesa tjetër e takimit mbeti praktikisht bosh, sepse objektivi ishte arritur dhe çfarë do të flisnim. Por, kur ka ardhur ai autobusi i famshëm për të na marrë, ishte ndjesia se gjërat kishin shkuar atje ku duhej. Por ajo frika, ishte shumë e vërtetë, sepse realisht shkoje drejt një të panjohure. Ushtarë çdo 20 metra, me kallashnikov, ishte një derë e madhe, ne hymë në ato sixhade, që për ne na dukej një pallat perandorak”, tha Minxhozi./abcnews.al

