VIDEO/Cukalli: Duhet vetërregullim, ligjet për median u bënë vetëm për gjobat

schedule22:49 - 20 Dhjetor, 2019

schedule 22:49 - 20 Dhjetor, 2019

I ftuar në “Provokacija” me Mustafa Nanon kryetari i Këshillit të Medias, Koloreto Cukali ka folur për lirinë e medias. Cukali është shprehur se ka një rënie të madhe të standardit të lirisë së saj.

“Çdo televizion shqiptar lajmin e merr nga sinjali i ERTV-së. Kemi vetëm një burim informacioni për të gjitha aktivitetet e kryeministrit. Nuk e dimë kurrë se ku është kryeministri dhe nuk e ndjekim dot. Ka një rënie të madhe të standardit të lirisë së medias. Jemi i vetmi vend ku nuk ka konferenca shtypi. Këshilli Shqiptar i Medias është krijuar me iniciativën e Këshillit të Evropës, i cili po përpiqet të ndërtojë strukturat e vetërregullimit. Nuk i takon shtetit të thotë se cila është e vërteta, ajo duhet të ndërtohet nëpërmjet disa standardeve. Është një proces shumë i vështirë në një terren si Shqipëria”, tha ndër të tjera Cukali.

Gjithashtu ai theksoi se propaganda zotëron tregun mediatik.

“Një nga shkeljet më të rënda që ndodh në median sot është opinioni i maskuar si lajm. Vetërregullimi do të zgjidhë një pjesë të këtyre gabimeve. Gjoba ekzekutohet menjëherë, nëse kjo fjali hiqet bie ligji, sepse i gjithë ky proces, ky projektëligj i paketës antishpifje për këtë u bë”, tha Cukali./abcnews.al