Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul i kërkoi Pekinit të përdorë ndikimin e tij mbi Moskën gjatë konsultimeve për armëpushimin në Ukrainë, përpara vizitës së tij të parë në Kinë.
“Asnjë vend tjetër nuk ka aq shumë ndikim ndaj Rusisë sa Kina për të siguruar që Moska të pranojë negociata serioze mbi respektimin e sovranitetit të Ukrainës”, tha Wadephul në Berlin.
“Është në interesin tonë që Kina të kontribuojë në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”, shtoi ai.
Kina është akuzuar nga Perëndimi se po mbështet përpjekjet ruse të luftës, ndërsa Pekini ka këmbëngulur se ka mbajtur një qëndrim neutral.
Wadephul tha se angazhimi me Kinën ishte thelbësor në kohë tensionesh ndërkombëtare dhe se liria, siguria dhe prosperiteti ishin të lidhura ngushtë me Pekinin.
Gjatë vizitës në Kinë, Wadephul do të adresojë kufizimet e Pekinit ndaj eksportit të metaleve të rralla – thelbësore për pjesën më të madhe të industrisë gjermane.
Wadephul do të pritet nga zëvendëspresidenti Han Zheng dhe do të zhvillojë bisedime mbi çështjet kryesore me ministrin e Jashtëm, Wang Yi dhe ministrin e Tregtisë, Wang Wentao.
Ai do të takohet gjithashtu me Liu Haixing, ministrin e seksionit ndërkombëtar të komitetit qendror të Partisë Komuniste.
Diplomati më i lartë i Gjermanisë do të fokusohet gjithashtu situatën në Lindjen e Mesme, si dhe shqetësimet në lidhje me Detin e Kinës Jugore dhe Ngushticën e Tajvanit.

