Shqipëria planifikon të ndërtojë 20 qendra pritëse për emigrantët ilegalë nga vende si Afganistani, Pakistani, Irani, Siria, Libani apo Gaza, që e përdorin vendin tonë si rrugë kalimi drejt shteteve e tjera të Bashkimit Europian.
Plani Kombëtar i Kontigjencës për flukset e përziera migratore për vitet 2026-2028, parashikon ngritjen e qendrave të reja në qarkun e Korçës, Gjirokastrës dhe Vlorës me kapacitete që variojnë nga 100 deri në 410 shtetër. Qendrat do të ndërtohen në godina ekzistuese publike, si konvikte, shkolla, pallate sporti por edhe në struktura të përkohshme emergjencë, të aktivizuara në rast fluksesh të larta.
Aktualisht, kapacitetet pritëse janë kryesisht të përqendruara në Tiranë dhe disa pika të tjera, si Gërhot, Kakavijë dhe Kapshticë. Plani i ri synon shpërndarje dhe mbulim më të gjerë në pikat kufitare dhe zonat me fluks me të madh të emigrantëve të paligjshëm.
Kufiri me Greqinë ka qenë gjithmonë zona me më shumë aktivitet migrator, duke përbërë mbi 84% të ndalimeve në vitin 2022. Edhe në vitin 2024, ky kufi mbetet i rëndësishëm për menaxhimin e flukseve migratore, megjithëse numri i ndalimeve është ulur ndjeshëm.
Plani Kombëtar i Kontigjencës parashikon shpenzime për paga, shpenzime korrente dhe investime për periudhën 2026–2028, sipas katër skenarëve të migracionit dhe emergjencave kostoja parashikohet të variojë nga 195,6 mln lekë që është skenari normal deri në 708.7 mln lekë që parashikohet kostoja për ngritjen e qendrave në rast krize.
Projektvendimi i cili u miratua në mbledhjen e Këshillit Konsultativ të Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, vjen në përmbushje edhe të angazhimeve që burojnë nga anëtarësimi në Bashkimin Europian. Duke përmbushur kështu kërkesat dhe standartet europiane për menaxhimin e migracionit, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut të emigrantëve dhe azilkërkuesve në Shqipëri./abcnews.al

