Papa Leoni do të nisë të enjten udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar si udhëheqës i Kishës Katolike, një turne gjashtëditor në Turqi dhe Liban. Vatikani e konsideron “të kërkueshëm” për shkak të agjendës së ngjeshur dhe klimës së tensionuar në Lindjen e Mesme.
Në Turqi, Papa do të takohet me presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe më pas me Patriarkun Bartolomeu, kreun shpirtëror të ortodoksëve në mbarë botën, në kuadër të shënimit të 1700-vjetorit të Këshillit të Nikesë. Gjatë qëndrimit në Stamboll, ai do të vizitojë edhe Xhaminë Blu dhe do të kremtojë Meshë në Volkswagen Arena.
Pritjet më të mëdha lidhen me vizitën e tij në Liban, ku frika nga një përshkallëzim i konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut është rritur pas një sulmi të fundit izraelit në Bejrut.
Komuniteti i krishterë libanez, sipas ekspertëve, shpreson për një mesazh uniteti dhe paqeje nga Papa, në një vend të goditur rëndë edhe nga kriza e thellë ekonomike. Analistët theksojnë se Vatikani, në mungesë të interesave politike apo ekonomike, shihet si një prej zërave të fundit moralë me ndikim të vërtetë në rajon.
Papa Leoni do të udhëheqë lutje në portin e Bejrutit, vendi i shpërthimit shkatërrimtar të vitit 2020, dhe do të vizitojë një spital psikiatrik të drejtuar nga Kisha Katolike. Megjithëse ka pasur kritika për mospërfshirjen e zonave të jugut të Libanit në agjendë, vlerësohet se situata e pasigurt e bën të pamundur një vizitë atje.
Udhëtimi konsiderohet një mundësi për Papa Leoni të prezantojë stilin e tij si papë më i moderuar dhe më pak polarizues, si dhe të promovojë mesazhin e tij kyç të papatit: paqen dhe unitetin mes komuniteteve fetare në rajon.


