Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë të gjithë territorin e Qarkut të Kukësit, duke krijuar vështirësi në qarkullim dhe ndërprerje të pjesshme të energjisë elektrike në disa zona rurale. Prefektura e Kukësit njofton se megjithë rënien e gurëve dhe inerteve në disa segmente, rrugët nacionale janë mbajtur funksionale falë ndërhyrjes së vazhdueshme të subjekteve kontraktore. Ndërkohë, pavarësisht motit të keq, bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk raportojnë për emergjenca, ndërsa furnizimi me ujë të pijshëm vijon sipas orareve të përcaktuara nga DRUK Kukës.
Situata në Qarkun Kukës deri në orën 08:30 datë 18.11.2025 është si më poshtë:
I gjithë territori i Qarkut Kukës vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet mesatar deri të lartë.
Si rezultat i reshjeve rrugët nacionale kanë qenë nën trysninë e rënies së gurëve dhe inerteve.
Nga subjektet kontaktore është punuar gjatë gjithë kohës për pastrimin dhe mbajtjen e tyre funksionale.
- Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht.
- Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk kemi raportime për ndonjë problematikë emergjente.
- I gjithë Qarku i Kukësit furnizohet me energji elektrike përveç, fshatit Kolosjan Nj.Adm Bicaj, Nj.Adm Grykë Çajë, Shishtavec, fshati Mamëz Nj.Adm Kolsh, fshati Turaj Nj.Adm Topojan dhe fshatrat Pistë, Gëdheshtë e Shëmri Nj.Adm Malzi bashkia Kukës, fshati Zarisht Nj.Adm Fajza, fshatrat Kishaj, Pogaj dhe Gjinaj Nj.Adm Gjinaj bashkia Has dhe fshati Berishë Nj.Adm Bytyç, Nj. Adm Lekbibaj e Fierz bashkia Tropojë.
- Furnizimi me ujë të pijshëm bëhet sipas orareve të përcaktuara nga D.R.U.K. Kukës.

