Sot, më 17 nëntor 2025, Shqipëria shënoi një moment historik në procesin e integrimit evropian, duke çelur të gjithë grup-kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian. Ky hap i shumëpritur shënon hyrjen në fazën më intensive të punës, ku vendi duhet të përmbushë standarde të larta teknike dhe ligjore brenda një afati të ngushtë.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Geron Kamberi, në një intervistë për “Money Report” në ABC News, theksoi se hapja e kapitujve është e lidhur ngushtë me ritmin e negociatave, të cilat synohet të mbyllen deri në vitin 2027. Ai paralajmëroi se tani nis sfida më e madhe: përmbushja e piketave të ndërmjetme dhe kritereve të mbylljes për secilin grup-kapitull, duke ecur “si një orë zvicerane”, por pa cënuar cilësinë.
“Sot, 17 nëntor 2025, Shqipëria çeli të gjithë grup-kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian!
Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, Geron Kamberi në “Money Report” në ABC Neës: Hapja e kapitujve ka qenë e kushtëzuar nga shpejtësia për të mbyllur negociatat deri në vitin 2027. Tani vjen puna më e vështirë, ku për secilin grup-kapitull janë të përcaktuara piketat e ndërmjetme dhe ato të mbylljes.
Nga pikëpamja teknike në harkun kohor të 2 vjetëve Shqipëria duhet të ece shpejt, por kjo pa cenuar cilësinë. Shqipërisë në këto 2 vjet duhet të ecë si një ‘orë zvicerane’. Shqipëria nuk do të trajtohet vetëm në BE, por do të bëhet pjesë e një tregu të përbashkët, kjo kërkon standarde në përputhje me ato të BE. Kjo tregon që është një volum i madh për përafrimin e legjislacionit dhe standardeve. Standardi duhet të garantohet në gjithë zinxhirin ushqimor. Duhet kapërcyer jo vetë një moment psikologjik, por edhe një moment teknik.
Nëse do i rikthehem ‘magjisë’ së BE, nuk janë vetëm paratë, por edhe solidariteti, për të përmbushur këto standarde në një kohë të shkurtër. Në këtë mënyrë BE financon për të arritur standardet në një kohë më të shkurtër. Me pak fjalë BE e ka bërë detyrën e saj. Shqipërisë i duhet që të përdorë të paktën këto burime që ka dhe më pas të përdorë burime të tjera. Urojmë që bisedimet të mbyllen brenda këtyre afateve dhe të mos kemi surpriza rrugës”, tha eksperti./abcnews.al

