Nga Roma në mbledhjen e parë ndërqeveritare, kryeministri Rama dhe kryeministrja Meloni nënshkruan 16 marrëveshje në sektore të ndryshme.
Për eksperten e ekonomisë Teuta Nunaj, impakti i këtyre marrëveshjeve do të jetë në periudhë afatmesme dhe se do të jetë në funksion të të dyja vendeve.
“Duhet të kemi në konsideratë sesa do t’i përgjigjen palët për të realizuar, ndikimi në ekonomi do të jetë në një periudhë afatmesme. Impakti më i parë është pjesa pozitive e rritjes së marrëdhënieve mes dy vendeve dhe mbrojtjes që Italia mund t’i kapë vendit tonë.”
Më tej, Nunaj komentoi zhvillimin e turizmit mes dy vendeve ku theksoi se ka një rritje të numrit të turistëve mes dy vendeve. Nunaj tha se Shqipëria i referohet modelit italian, por duhet të forcojë burimet njerëzore.
“Puna ndër vite që kanë bërë shqipëtarët në Itali ka sjellë një rritje të numrit të turistëve.
Turizmi elitar është diçka ndryshe, edhe në agroturizëm që po zhvillohet vitet e fundit, modelin e kemi nga agroturizmi italian. Apo shumë studentë që kanë studiuar jashtë, agroturizmi është ndër më të kërkuarit. Është fat për ne që e kemi afër Italinë dhe sjellim përvojën.
Sado të kemi përvojën e mirë dhe hapjen e restoranteve dhe njësive akomoduese, ne kemi burimet njerëzore problem.
Kemi një metodë që nuk përputhet me atë që kërkon tregu. Duhet të ndryshojmë mënyrën sesi bëjmë biznes dhe nëse nuk forcojmë burimet njerëzore nuk do jemi të suksesshëm.” / abcnews.al /

