SHBA ne bashkëpunim me Meksikën kanë shpallur non grata biznesmenin shqiptar Luftar Hysa dhe familjen e tij, 4 vëllezërit, Arben, Ramiz, Fatos dhe Fabjon Hysa.
Departamenti i Thesarit në SHBA njoftoi se familja Hysa është shpallur organizatë kriminale si bashkëpunëtore e kartelit meksikan Sinaloa për trafik lëndësh narkotike dhe pastrim parash në Meksike, SHBA dhe Evropë.
Amerikanet kanë zbuluar se Hysajt kishin dhjetëra biznese kazino dhe restorante luksoze në Meksikë, Kanada dhe Poloni për të kryer aktivitetin kriminal ndërsa ne Shba përdornin një shtetas amerikan për të zotëruar kompanitë e tyre dhe pastruar paratë dhe trafikuar shuma të mëdha parash të paligjshme.
Çfarë nënkuptojnë sanksionet ndaj tyre?
Çdo aset i familjes Hysa në SHBA, ose që varet nga sistemet financiare amerikane, është i bllokuar dhe nuk mund të përdoret pa aprovimin e OFAC.
Personat apo entitetet amerikane nuk mund të bëjnë biznes me ta (transferim parash, mallrash, shërbimesh) pa licencë.
Tre vite më parë, për herë të parë në Shqipëri u shfaq emri i Luftar Hysës por në njoftimin e departamentit të thesarit rezulton se Hysa aktivitetin kriminal nuk e ka shtrirë në vendin tonë dhe asnjë prej bizneseve të sanksionuara nuk rezulton të jetë në Shqipëri.
Nga krejt familja, I njohur publikisht është Luftar Hysa nga Belshi dhe vetë ka pranuar se ka qenë i angazhuar politikisht në vitet e para të demokracisë si kryetar i PD në këtë qytet kur themeloi për herë të parë degën e demokratëve aty.
Gjatë kësaj kohe ka punuar si inxhinier mekanik në Cërrik ndërsa pas trazirave të vitit 1997 emigroi në Afrikën e Jugut ku e priste vëllai i tij. Aty nisi biznesin e lojërave të fatit, e më pas u zhvendos në Peru e përfundimisht ne Meksikë ndërsa familjen e dërgoi ne Kanada./abcnews.al

