TIRANË- Pedagogia Arsejda Gjyli, e ftuar në emisionin “Real Story”, foli mbi rolin dhe sfidat që sjell Inteligjenca Artificiale në shoqërinë moderne, duke theksuar se risitë teknologjike janë të mirëpritura vetëm nëse mbeten të kontrolluara dhe të menaxhuara nga njerëzit.
“Ne jemi pro risisë, pro inteligjencës artificiale, për aq kohë sa ajo është e menaxhueshme dhe e administruar nga njerëzit, dhe për aq kohë sa kemi bazat e duhura ligjore për ta menaxhuar në mënyrën e duhur, në mënyrë që ne, si njerëz, të mos bëhemi të panevojshëm në një moment të caktuar,” u shpreh Gjyli.
Duke iu referuar “Diellës”, e cila është bërë e njohur ndërkombëtarisht, pedagogia theksoi se Shqipëria ka qenë vendi i parë që e ka aplikuar një sistem të tillë.
“Sot kemi një platformë unike, e cila u bë ndërkombëtarisht e njohur. Shqipëria ishte vendi i parë që aplikoi një sistem të tillë. Duhet të punojmë për të menaxhuar funksionet që do të ketë ‘Diella’.
Mendoj se në këtë moment ‘Diella’ do të ketë ‘fëmijët’ e vet në çdo institucion, në çdo ministri. Mund të krijohen instanca artificiale, nga ku do të menaxhohen platforma në ndihmë të turizmit, kulturës dhe arsimit, për të menaxhuar elementët pozitivë,” tha Gjyli./abcnews.al

