Analisti Martin Leka, i ftuar në emisionin “Newsroom” në ABC News, ka folur mbi ndikimin që burgu pati në formimin politik dhe njerëzor të ish-kryeministrit Fatos Nano.
Sipas Lekës, periudha e burgimit e forcoi Nanon në aspiratat e tij për paqe dhe prosperitet demokratik, duke e bërë më të vendosur dhe më tolerant.
Ai tregoi se Nano ruajti humorin dhe kurajën edhe në kushte të vështira, duke shkruar letra për partinë në copa paketash cigaresh apo çokollatash, ndërsa pas daljes nga burgu zgjodhi rrugën e tolerancës në vend të hakmarrjes, madje edhe ndaj atyre që e çuan pas hekurave.
“Burgu e bëri më të vendosur në aspiratat për paqe dhe prosperitet demokratik, të cilat arrihen vetëm me politikë dhe demokraci. Ishte i qartë në garat e tij, kur betejat nuk kishin kohë dhe mbarim. Ishte një njeri shumë i vendosur, saqë nuk e imagjinoje dot që të kishte një kurajo të admiruar.
Kam marrë kurajo të admirueshme nga Fatos Nano. Ishte një njeri që kishte jashtëzakonisht humor dhe kurajo. Shkruante letra në burg në paketa cigaresh, letra alumini apo çokollate, vetëm për të mbajtur aktiv komunikimi me partinë.
Në burg, ishte e trishtë që të shikoje një njeri intelektual, të mbahej në ato kushte. Ishte e gjithë pjesa intelektuale e Shqipërisë në burg. Kur doli nga burgu, nuk doli kundër dhe nuk u hakmor ndaj njeriut që e çoi në burg, Sali Berishën. Hapi mendjen e njerëzve se hakmarrja mund të zëvendësohej me tolerancën”, tha Martin Leka./abcnews.al

