Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatë dosjen hetimore për 6 persona të cilët dyshohen për Shpërdorim Detyre dhe për ushtrim të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike.
Të pandehur:
Musa Gjikola
Klodjan Muça
Sokol Masha
Erjon Dani
Emiljano (alias Millan) Roçi
Vilson Roçi
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode, të tentativës për të ndikuar në sistemin gjyqësore për masat e sigurisë dhe tek dhënia e dënimit ndaj disa të arrestuarve. Shumat e parave që kanë përfituar këto 6 persona varionin nga 4 mije deri në 7 mijë e 500 euro.
Sipas hetimeve, Erjon Dani, i cili ka qenë me detyrë zëvendësshef në komisariatin Nr. 3 Tiranë, ka shpërdoruar detyrën duke shpërndarë tek persona të tretë të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS.
Hetimet kanë dokumentuar se të pandehurit kanë bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “Sky ECC”, të cilat janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike ndërkombëtare.
Ky procedim penal është ndarë nga procedimi penal nr. 177 i vitit 2023, për të cilin vijojnë hetimet ndaj disa personave të tjerë nën hetim, të dyshuar për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “grupit të strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 283/a, 298, 333/a, 334/1 dhe 28/4 të Kodit Penal./abcnews.al

