Dënimi i Salianjit/ Bardhi: Gjyqtari është anëtar i bandës së Lushnjes dhe militant i PS

schedule15:57 - 18 Dhjetor, 2019

schedule 15:57 - 18 Dhjetor, 2019

Gjykata Penale e Tiranës vendosi sot të dënojë me një vit burg ish-deputetin demokrat, Ervin Salianji për çështjen “Babale”. Vendimi u dha nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Artan Gjermeni.

Gazetari Andi Qosja bën me dije për abcnews.al se gjykata ka dënuar me 3 vite e 5 muaj burg Albert Veliun (i njohur si Babale) dhe 2 vite burg për Fredi Alizotin. Ndërkohë, gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj burg, dënim që konvertohet me 200 orë shërbim për komunitetin.

Pasi doli nga gjykata, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi lëshoi akuza të rënda ndaj gjyqtarit Gjermeni. Sipas tij Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi janë dënuar nga banda e Lushnjes dhe jo nga një trupë gjyqësore.

“Sot Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi janë dënuar nga banda e Lushnjes pasi sulmoi bandën e Lushnjes, Agron Xhafajn. Artan Gjermeni është anëtar i bandës së Lushnjes dhe militant i Partisë Socialiste. Sot janë bërë bashkë banda e Lushnjes dhe banda e Agron Xhafajt”, tha Bardhi.

Salianji gjithashtu tha se është dënuar nga një trupë gjyqësore e ndikuar politikisht dhe ky sipas tij nuk është i vetmi rast.

Gjatë seancës ishin të pranishëm, kolegët e tij, ish-anëtare te grupit të PD, si Braho, Boçi, Alibeaj, Balliu etj. Në momentin kur u dha vendimi ata thirrën Turp, turp ndaj gjyqtarit Gjermeni.

Çfarë është dosja “Babale”

Pranverën e 2018-ës, PD-ja publikoi 2 audio-regjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj asokohe, Fatmir Xhafaj, Agron (Geron) Xhafaj ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Dëshmitari X i Partisë Demokratike, që më vonë u identifikua si Arbert Veliu, thirrej me pseudonimin Babale, ndaj edhe dosja në zhargon quhet “Babale”.

Direkt pas daljes së pergjimeve, Agron (Geron) Xhafaj u largua nga Shqipëria, për të vuajtur dënimin në Itali ku ishte dënuar disa vite më parë për trafik droge.

Kryeministri Edi Rama, ish-ministri Fatmir Xhafaj e mohuan përfshirjen e Agron Xhafajt  në trafik droge. Sipas tyre, gjithçka në audio-përgjim ishte sajuar nga PD-ja.

Prokuroria për Krimet e Rënda nisi hetimet dhe lëshoi urdhër-arreste për protagonistët e audiopërgjimit, Albert Veliu, i njohur si “Babalja” dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti. Sipas Prokurorisë, nga ekspertiza e kampionit të zërit, bashkëbiseduesit janë Babale dhe kunati i tij Fredi Alizoti që ka luajtur rolin e Agron Xhafajt. Alizoti është mbajtur gjatë gjithë kësaj kohe në arrrest me burg, ai ka pranuar para hetuesve se ka marrë 200 mijë euro për të imituar zërin e vëllait të Fatmir Xhafës. /abcnews.al