Në ditën e miratimit të 4 kandidaturave për pasuesin e Altin Dumanit, drejtuesja e KLP, Mirela Bogdani ka deklaruar në Kuvend se nuk ka asnjë presion nga politika shqiptare, por as nga ndërkombëtarët, për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK.
PYETJA: A ka ndërhyrje nga institucionet e tjera qendrore, por dhe ndërkombëtare. Se kemi pare në procese të tjera edhe ambasadorë të nderuar që hynin dilnin, shkonin vinin, a keni presione. Sa të pavarur e konsideroni veten, se presioni tek drejtuesi i SPAK është i madh?
Bogdani: S’kam ndonjë presion, përveç sugjerimeve në ambientin tonë, nuk do ta quaja presion. Unë do thoja, flas personalisht, edhe qasja e kolegëve, është lobim më shumë.
3 vite më parë, u fol për përplasje mes qeverisë shqiptare dhe SHBA për drejtuesin e ri të prokurorisë, dhe se në fund fitoi i preferuari i amerikaneve. Me pas opozita foli se preference nuk ishte e amerikaneve, por personale e Yuri Kim.
Por ky skenar kësaj radhe nuk ekziston. Ambasadorja ne detyre e Uashingtonit, kërkoi pak jave me pare qe pasuesi, apo pasuesja e dumanit, te zgjidhej jashtë ndikimeve politike. Drejtuesja Bogdani e ka konfirmuar pastertinë e procesit, por duke shtuar se brenda KLP ka lobime për kandidatë të ndryshëm mes anëtarëve, bazuar edhe tek preferencat profesionale, emocionale por dhe personale. Madje edhe ajo e ka një preferencë.
“Është lobim më shumë, është një lloj dikush është më shumë tifoz apo partizan i një rryme qoftë ideologjike apo profesionale. Një mund të ketë më shumë qasje represive, një më shumë human. Është lobim, për më të mirin, se sa presion. Janë gjithë prokurorë të SPAK. Kushdo prej tyre mund të jetë në drejtim. Unë do preferoja, një me aftësi menaxheriale më të mira.”
Këtë të hënë, me 10 vota pro, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi kandidatët në garën e hapur për Drejtimin e Prokurorisë së Posaçme SPAK. Këshilli pasi shqyrtoi dokumentacionet vendosi që 4 kandidatë Adnan Xholi, Klodian Braho, Dolorez Musabelliu dhe Ervin Gogaj të vazhdojnë fazat e tjera. Afati i fundit për zgjedhjen e kreut të ri te SPAK është data 18 dhjetor datë kjo që përkon edhe me datën kur i mbaron mandati drejtuesit aktual të SPAK Altin Dumanit.

