Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Netanyahu i vendosur të ushtrojë presion ndaj Hamasit për gjetjen e trupave të pengjeve

schedule21:47 - 16 Tetor, 2025

schedule 21:47 - 16 Tetor, 2025

Kryeministri i Izraelit deklaroi gjatë një ceremonie përkujtimore për viktimat e sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023 se është “i vendosur” të sigurojë kthimin e trupave të pengjeve të vdekur që ndodhen ende në Gaza, dhe se vendi do të vazhdojë luftën kundër terrorizmit me “fuqi të plotë”.

Benjamin Netanyahu i bëri këto komente disa orë pasi Hamasi dorëzoi trupat e dy pengjeve të tjera, por tha se nuk ka mundur të aksesojë trupat e mbetura të 19 të tjerëve.

Në Izrael ka pasur zemërim për faktin që Hamasi nuk i ka kthyer ende të gjithë trupat, siç parashikohej në marrëveshjen e armëpushimit të javës së kaluar, megjithëse SHBA ka minimizuar sugjerimet se kjo përbën shkelje.



Izraeli ka reaguar ndaj vonesës duke kërcënuar me kufizimin e ndihmës që hyn në Gaza. Më herët të enjten, qeveria izraelite konfirmoi se trupat e dorëzuara nga Hamasi Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq të mërkurën në mbrëmje ishin identifikuar si Inbar Hayman dhe Rreshter Madhor Muhammad al-Atarash.

Kthimi i tyre, i mbikëqyrur nga luftëtarë të maskuar të Hamasit në qytetin e Gazës, e çoi në nëntë numrin e trupave të pengjeve të dorëzuara që nga e hëna, nga gjithsej 28.

Të 20 pengjet e gjallë u liruan të hënën, në këmbim të 250 të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite dhe 1 mijë e 718 të ndaluarve nga Gaza. Krahu ushtarak i Hamasit tha të mërkurën se do të vazhdojë kërkimin për trupat e mbetura, por se kjo kërkon përpjekje të mëdha dhe pajisje të specializuara.

Të enjten, Netanyahu foli në një ceremoni zyrtare përkujtimore në varrezat kombëtare të Mount Herzl në Jerusalem, dy ditë pas përvjetorit sipas kalendarit hebraik të sulmit të 7 tetorit.

Kryeministri tha se mbetet i përkushtuar për të siguruar kthimin e të gjitha trupave të pengjeve izraelite dhe të huaja, dhe përsëriti gatishmërinë e qeverisë për t’u rikthyer në veprime ushtarake nëse Izraeli sulmohet sërish.

“Lufta jonë kundër terrorizmit do të vazhdojë me fuqi të plotë. Nuk do të lejojmë që e keqja të ngrejë kokë. Do të kërkojmë çmimin e plotë nga kushdo që na dëmton”, tha ai.

Ushtria izraelite nisi një fushatë në Gaza si përgjigje ndaj sulmit të 7 tetorit, ku luftëtarë të udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1 mijë e 200 persona në jug të Izraelit dhe morën 251 të tjerë peng.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila konsiderohet e besueshme nga OKB, të paktën 67 mihë e 967 persona janë vrarë nga sulmet izraelite që nga ajo kohë.

Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura në Izrael i ka bërë thirrje qeverisë së Netanyahut që të “pezullojë menjëherë zbatimin” e marrëveshjes së armëpushimit derisa të kthehen 19 trupat e mbetura.

Pas deklaratës së Hamasit se nuk është në gjendje të rikuperojë të gjitha trupat, dy këshilltarë të lartë të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, thanë se përgatitjet për kalimin në fazën tjetër të marrëveshjes së armëpushimit po vazhdojnë.

Këshilltarët u thanë gazetarëve se qeveria amerikane nuk beson se Hamasi ka shkelur marrëveshjen për shkak të pamundësisë për të rikuperuar më shumë mbetje trupore, dhe se grupi ka vepruar me mirëbesim duke ndarë informacione me ndërmjetësit.

Ndërkohë që teksti i plotë i marrëveshjes mes Izraelit dhe Hamasit nuk është bërë publik, një version i rrjedhur në mediat izraelite sugjeron se ekziston mundësia që jo të gjitha trupat të jenë menjëherë të aksesueshme.

Një këshilltar i lartë amerikan përmendi nivelin e shkatërrimit në Gaza si një arsye pse kërkimi mund të jetë i ngadalësuar, dhe tha se mund të ofrohen shpërblime për civilët që kanë informacion mbi vendndodhjen e mbetjeve trupore.

Hamasi ka ankuar tek ndërmjetësit se më shumë se 20 persona janë vrarë nga forcat izraelite në Gaza që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të premten.

Ushtria izraelite, e cila kontrollon ende më shumë se gjysmën e territorit, ka deklaruar se hap zjarr për të eliminuar kërcënimet ndaj trupave të saj.

Ndërkohë në Gaza, po punohet për identifikimin e trupave të palestinezëve të kthyer nga Izraeli ditët e fundit në këmbim të trupave të pengjeve. Të enjten u kthyen edhe 30 trupa të tjerë, duke e çuar numrin total në 120.

Ka pasur raportime se pika kufitare Rafah me Egjiptin do të rihapej të enjten, pasi ishte mbyllur që kur ana gazaiste e saj u mor nën kontroll nga forcat izraelite në maj 2024.

Marrëveshja e armëpushimit parashikon që rihapja e Rafahut të bëhet “nën të njëjtin mekanizëm të zbatuar” gjatë një armëpushimi të përkohshëm më herët këtë vit, kur palestinezët e plagosur u lejuan përkohësisht të kalonin për të marrë trajtim mjekësor.

Të enjten, një zyrtar nga organi ushtarak izraelit COGAT tha: Data e hapjes së pikës kufitare Rafah për lëvizjen e njerëzve do të shpallet në një fazë të mëvonshme, pasi pala izraelite, së bashku me atë egjiptiane, të përfundojnë përgatitjet e nevojshme.

Zyrtari theksoi gjithashtu se “ndihmat nuk do të kalojnë përmes pikës kufitare Rafah”. Në vend të saj, ndihmat do të vazhdojnë të hyjnë në Gaza përmes pikës kufitare Kerem Shalom në jug të Izraelit dhe pikave të tjera pas inspektimeve të sigurisë nga Izraeli.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!